Ambasadori turk: Studentët shqiptarë do të jenë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Turqisë

Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë është organizuar një aktivitet mbi “Bursat e Turqisë” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri, të shoqatave dhe të rinjve që k...
Ambasadori turk: Studentët shqiptarë do të jenë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Turqisë
Foto: Ambasadori turk: Studentët shqiptarë do të jenë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Turqisë

Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë është organizuar një aktivitet mbi “Bursat e Turqisë” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri, të shoqatave dhe të rinjve që kanë fituar bursat.

Në aktivitetin e organizuar në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, përfaqësues të Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi të Shqipërisë (TUMED), përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO) dhe studentët shqiptarë që kanë fituar bursat, të cilat ofrohen nga Kryesia e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).

Gjatë fjalës së tij në aktivitet, ambasadori Yörük theksoi se studentët shqiptarë që do të shkojnë me studime në Turqi do të jenë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Turqisë.

“Ashtu siç ne e kemi parë veten tonë këtu si në shtëpinë tonë të dytë, jam i bindur që edhe ju kur të shkoni në Turqi me vëllezërit tuaj atje do ta ndieni veten si në shtëpinë tuaj të dytë me miqtë e afërt që do të krijoni”, u shpreh ambasadori turk, duke iu drejtuar të rinjve shqiptarë që kanë fituar bursat.

Ai tha se marrëdhëniet Shqipëri-Turqi janë shumë të shkëlqyera dhe strategjike në të gjitha fushat e mundshme.

“Në Shqipëri ka shumë kompani turke të cilat operojnë dhe kanë një strategji të tyre ku punojnë në fusha të ndryshme në Shqipëri. Në 600 kompani që kemi ne si Turqi këtu në Shqipëri ka rreth 15 mijë punëtorë të tyre që i kanë në ambientet e tyre. Në bazë të marrëdhënieve strategjike që kanë të dyja shtetet në vijim do të ketë investitorë shumë më të mëdhenj në fusha të ndryshme ku ato do të operojnë”, tha ndër të tjera Yörük.

Eni Xheko, kryetarja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi (ATTSO), gjatë fjalës së saj në aktivitet foli mbi mbështetjen që ATTSO do të ofrojë për studentët.

Xheko duke iu drejtuar të rinjve tha se: “Merrni më të mirën që ju ofron vendi ku studioni dhe ATTSO do të jetë gjithmonë pranë jush për të shërbyer si urë lidhëse dhe për të ju mundësuar praktika pune gjatë studimeve pranë anëtarëve të dhomës apo edhe pozicione pune pas përfundimit të studimeve”.

Nga Shqipëria 60 studentë kanë fituar bursat e ofruara nga YTB për vitin akademik 2021-2022.