Ambasadori i Serbisë, Slobodan Vukčević i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Ditën e sotme Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur në takim Ambasadorin e ri të Serbisë në Tiranë,Slobodan Vukčević, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Presidenti Meta e uroi Ambasadorin për detyrën dhe e siguroi për mbështetje në përmbushjen e misionit të tij diplomatik në Shqipëri.

Kreu i Shtetit shprehu dëshirën se përpjekjet e tij do t’i shërbejnë rritjes së marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, sidomos në fushën ekonomike, tregtare dhe turizëm.

Presidenti Meta nënvizoi se dialogu Kosovë-Serbi ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellë, ka rëndësi jo vetëm për të dy vendet, por edhe për rajonin dhe perspektivën e tij europiane.