Ambasada Amerikane dhe BE-ja mbështesin zgjedhjet e dy anëtareve të Kushtetueses

Ambasada Amerikane në Tiranë dhe përfaqësuesit e BE-së në vendin tonë kanë shprehur qëndrimet e tyre pozitive për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë seancës plenare të ditës së sotme u votuan nga deputetët Elsa Toska dhe Fiona Papajorgjin, të cilat do të plotësojnë vakancat në Gjykatë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale delegacioni i BE-së në vendin tonë e e konsideroi zgjedhjen e dy anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese si pjesë e rëndësishme e Reformës në Drejtësi ‘’zbatimi i së cilës vazhdon dhe është thelbësor për rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së’’.

“Sot parlamenti shqiptar zgjodhi dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Ne e mirëpresim këtë vendim dhe presim krijimin e një Gjykatë funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur. Zbatimi i Reformës në Drejtësi vazhdon dhe është thelbësor për në rrugën e saj të integrimit në BE”,- thuhet një njoftimin zyrtar.

Ndërsa Ambasada Amerikane në Tiranë ka ofruar mbështetjen e saj për ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur e të ndërshëm në Shqipëri.

Në një reagim zyrtar, selia e SHBA-së në vendin tonë konfirmon ‘’mbështetjen e saj për ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri’’.

“Prej votimit unanim të reformës në drejtësi në 2016-ën, institucionet shqiptare, përfshirë edhe organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit. Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri”,- shkruhet në njoftimin zyrtar të Ambasadës Amerikane./apel.media