Alarm për përmbytje në Tiranë, eksperti: Të merren masa nga bashkia

Komisioni i Bbrojtjes Civile ka dhënë alarmin për rrezikun e përmbytjeve në qarkun e Tiranës ndërkohë që 16 rezervuarë në bashkinë e Tiranës kanë probleme të rënda infrastrukturore pasi janë lënë në harresë prej vitesh. Prefekti i qarkut të Tiranës sqaroi se ujëmbledhësit kanë probleme kryesisht me argjinaturën dhe kanalet kulluese.

Një numër prej 16 rezervuarësh në territorin e Bashkisë së Tiranës janë në gjendje të amortizuar duke rrezikuar përmbytjen e banesave dhe bizneseve pranë tyre.

Në komisionin e mbrojtjes civile të qarkut të Tiranës, prefekti Mersin Murataj kërkoi marrjen e masave të menjëhershme.

“Në qarkun e Tiranës kemi 77 rezervuare nga të cilët 38 i ka vetëm bashkia e Tiranës. Nga vëzhgimet e bëra në terren nga specialistët tanë na rezulton se 16 prej tyre janë në gjendje katastrofike, kanë probleme në shkarkimet, në kanalet e larta të kullimit. Kjo kërkon nga të gjithë ne, sektorët e emergjencave civile, kryesisht nga bashkitë që të merren masat në kohë sepse periudhat e shirave po fillojnë,” tha Murataj.

Ndërkohë që stina e shirave ka nisur dhe disa zona rrezikojnë të përmbyten, jo të gjitha bashkitë kanë marrë masat e duhura.

Për këtë sekretari i këtij komisioni kërkoi angazhim të menjëhershëm të tyre.

“Kemi shumë bashki dhe shumë institucione që nuk i kanë marrë masat paraprake dhe nuk duhet të iniciohet nga ky Komision që të marrin masat paraprake. Masat paraprake nga bashkitë dhe të gjitha strukturat përgjegjëse në qarkun e Tiranës duhet të merren në mënyrë automatike,” tha ai.

Komisioni i mbrojtjes civile kërkoi të vihen në gatishmëri në strukturat e emergjencës dhe ato të monitorimit si dhe të bëhet sigurimi i ambienteve në raste evakuimi për fatkeqësitë natyrore. Më shumë vëmendje u kërkua ndaj rreziqeve të fatkeqësive natyrore në zonat që edhe më parë kanë pasur probleme.