Aktori Jim Belushi do të vizitojë Tiranën muajin tjetër

Aktori i njohur me origjinë shqiptare, Jim Belushi do të vizitojë Tiranën muajin tjetër. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e dha lajmin gjatë një takimi me të rinj sipërmarrës, të mbledhur bashkë nga YPA Albania, një organizatë pjesë e të cilës janë mbi 28 mijë liderë, që takohen çdo vit për t’u forcuar e për të përmirësuar botën e biznesit.

Në takimin me të rinjtë, Veliaj ndau mesazhin se ka shumë rëndësi që të rinjtë në mbarë botën të krijojnë ura komunikimi me njëri-tjetrin.

“Mesazhi im për ju është: ne ndoshta nuk jemi vend aq i madh si disa vende të tjera, por jemi origjinalë. Jemi një vend i bukur, me energji pozitive. Shpresoj që njerëzit që keni majtas dhe djathtas të mos i shikoni si rivalë dhe konkurrentë, por si partnerë, aksionerë të ardhshëm, si njerëz me të cilët ju mund të bëni biznes. Çdo qytet mund të ndryshojë, çdo shoqëri mund të ndryshojë, çdo vend mund të ndryshojë, por që qytetet të ndryshojnë duhet vendosmëri, disiplinë, dhe një dozë e madhe kreativiteti”, u shpreh Veliaj.

Në fund kryebashkiaku tha se ndihet krenar që në vitin kur Tirana është “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, ka pasur kaq shumë aktivitete dhe evente në fusha të ndryshme, kushtuar vetëm atyre.