Aksidenti në Sauk, Gonxhe: Faji ishte edhe i politikës në vend! Presim analizat

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe ka komentuar aksidentin tragjik të ndodhur pasditen e djeshme me 3 viktima. Gonxhe, kreu i DPSHTRR, tha në një intervistë për Euronews Albania se askush nuk mund të përjashtojë veten nga përgjegjësia pas 5 viktimave në 24 orë prej aksidenteve rrugore, duke përfshirë edhe politikën.

Sipas Gonxhes, aksidenti i të enjtes mbrëma nuk është vetëm pasojë e daljes nga kontrolli, por e shpërqëndrimit ose tejkalim në masa ekstreme. Ai shtoi se duhet pritur dhe analiza e gjakut për të parë nëse bëhet fjalë për përdorim të lëndëve narkotike, ose alkoolit.

“Prej korrikut të vitit të kaluar ne presim amendimet e Kodit Rrugor të cilat i kemi diskutuar në parlament dhe për shkak të një situate jo stabël politike, pra të një problematike që lidhet me vendimin që do të marrë opozita nuk po kalojnë dot,” – u shpreh Gonxhe.

Nga përplasja dje humbi jetën Klevis Ruçaj, 20 vjeç, banues në Fier, ishte në timonin e “Audit” dhe dy pasagjeret në mjet, Erisilda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroj, 23 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë. Të plagosur kanë mbetur 3 persona të tjerë, anëtarë të familjes Kurti (nëna, babai dhe djali; Qemal Kurti 60 vjeçe, dhe dy pasagjerët Alda Kurti dhe O.Kurti). Fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.