“Ai kishte pasur një shqetësim…”/ Belind Këlliçi sqaron komunikimin me Metën para protestës

Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka sqaruar komunikimin me presidentin e Republikës Ilir Meta gjatë protestës së 8 Janarit para selisë blu.

Në vijim të mesazhit të bërë publik sot nga kreu i shtetit, Këlliçi në një intervistë për ABC News deklaroi se ka pasur një thirrje në celular nga ky i fundit gjatë kohës që ka qenë në mbledhje. Në pamundësi për t’iu përgjigjur shtoi ai, i ka dërguar një mesazh.

“Një komunikim që është bërë publik edhe për media. Kam pasur një telefonatë nga presidenti mëngjesin e 8 janarit që nuk kam pasur mundësi t’I përgjigjem. Unë komunikoj çdo ditë në çdo orë të ditës të natës me demokratë të thjeshtë apo jo. Çdokujt i kthej përgjigje dhe jo më presidentit. I kam çuar një mesazh mbrapsht kur kam parë thirrjen president kam qenë në takim. Ai kishte pasur një shqetësim në lidhje me makinat e parkuara”, u shpreh Këlliçi.

Ai deklaroi se ditën e protestës demokratët janë goditur dhe janë gjakosur ndërsa 12 prej tyre kanë përfunduar në spitalin e Traumës për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar.
“Janë thyer disa xhama sepse demokratët janë goditur janë gjakosur. 12 prej tyre janë dërguar në spitalin e Traumës. Në gjendjen ku është sot PD do doja të dija ndonjë forcë politike në botë që blindon selinë dhe helmon anëtarët e saj me gaz”, tha ai.

Presidenti Meta, gjatë konferencës pë media u shpreh se ka komunikar me Këlliçin me sms dhe i ka kërkuar këtij të fundit të ruajnë qetësinë. “I kërkoj falje zotërisë, Belind Këlliçit, të shtunën në 10:24, kur pashë makinat te oborri i PD, dhe e vlerësova si moment provokativ, ndaj e mora në telefon Këlliçin, nuk ma hapi. Pastaj më tha “President, sapo mbaruam një mbledhje me të rinjtë”. I them “Kujdes të mos preket asnjë makinë në oborr, se është provokim”. “Po, po”, më thotë ai. 20 minuta para se të hapej dera, i them “Mos humbni kontrollin paqësor të protestës”. “Po”, më thotë.
Presidenti nuk bën as lojëra të dyfishta, as të trefishta. Presidenti dënon dhunën”, tha Meta.