Agron Tufa -Dita e parë e shkollës, po fëmijët e emigrantëve?

Nga Agron Tufa

Bashkë me urimin për një vit shkollor të mbarë për nxënësit, prindërit dhe mësuesit – po ngre një shqetësim, për mua, të frikshëm.

Në botën perëndimore sot jetojnë mbi dy milionë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Janë qindra mijëra nxënës që vazhdojnë shkollat në gjuhët e vendeve të huaja ku kanë emigruar. Këta fëmijë nuk do ta mësojnë kurrë gjuhën shqipe, madje vetë prindërit e familjet përpiqen t’ua fshijnë shqipen, duke këputur edhe lidhjen e tyre të fundit me gjuhën amtare. Nuk ka pikëllim më të madh për këta gjenerata, të cilët do të rriten dhe vetëm ndonjëherë do të pohojnë se janë me prejardhje shqiptare, duke e mbajtur përkatësinë shqiptare si një stoli për raste të volitshme. Dhe trishtim, për atë Zot! Gjuha shqipe është e vetmja vulë e identitetit tonë, i vetmi nishan i kombësisë tonë. Shqipja që i ka mbijetuar zhdukjes në epoka pushtimesh, po i dorëzohet asimilimit në në kulmin e qytetërimit paqësor modern, i cili i garanton me ligj të gjitha të drejtat dhe komoditetet. Zhveshja prej gjuhës është zhveshje prej identitetit kombëtar.

Jetoj në një qytet të vogël ku ende mund të dëgjosh në rrugë kuvendime në shqip, ku në shkollë janë mbi 400 nxënës shqiptarë nga Kosova. Më thonë se para viteve 2000 degët e LDK-së dhe organizimet e ndryshme të emigracionit shqiptar patën ndërtuar një rrjet shkollash shqipe, të mbështetur nga qeveritë vendore të kantoneve. Por pas vitit 2000 këto shkolla u mbyllën: prindërit e konsideruar jo rentabël mësimin në shqip të fëmijëve të tyre. Por sa çudi more Zot! Nuk e quajtën aspak jorentabël t’i dërgonin fëmijët e tyre në xhami, duke mbyllur shkollat. Kështu janë mbushur plot xhamitë dhe janë mbyllur krejtësisht shkollat. Nuk jam aspak nga ata që e nënvleftësojnë mësimin dhe edukimin fetar, qoftë edhe si dije, por ka një problem që duhet zgjidhur: pse duhej mbajtur njëra dhe këputur tjetra?

Diku çelësi i zgjidhjes së kësaj brenge ekziston. Dhe konkretisht duhet biseduar me imamët, duhet bashkëpunuar me ta si njerëz të arsyeshëm (ka plot prej tyre që janë arsimdashës e patriotë) dhe ata mund të ndihmojnë në mënyrë vendimtare, që së bashku me prindërit – frekuentuesit e xhamive t’i kthehen edhe shkollës, mësimit të shqipes (plus folklorit, historisë, letërsisë) duke shpëtuar shkombtarizimin e fëmijëve shqiptarë. Mjafton një e shtunë dhe e diel, dy a tre herë në javë nga dy orë, që qindra mijëra nxënës shqiptarë të forcojnë lidhjet e tyre me gjuhën shqipe që është dhe identiteti ynë. Është fatale që duke jetuar në vendet e demokracive dhe të drejtave njerëzore të pranosh asimilimin dhe shkombtarizimin.

Ndoshta shumica e prindërve nuk janë në atë nivel vetëdijeje sa të kuptojnë se çfarë po bëjnë, por vetë fëmijët e tyre do të kujtohen shumë vonë për lëshimin e kësaj mundësie. Prandaj duhet kërkuar ndihma e imamëve, ndikimi i tyre tek prindërit dhe fëmijët për të rinisur mësimi i shqipes në gjithë diasporën shqiptare. Këta fëmijë emigrantësh duhet të ndjehen jo më pak shqiptarë se moshatarët e tyre në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni!

Mendoni pra, prindër. Ka diçka që nuk shkon e që sherrin mund t’ia shihni më vonë, nëse dini ta dalloni…