Festivali i Radio Televizionit Shqiptar është kthyer sërisht në mollë sherri mes konkurentëve. Këtë vit duket se skandalet nuk kanë të sosur. Është një nga ngjarjet kulturore më të mëdha në vend për nga rëndësia artistike por edhe për nga rëndësia financiare pasi shpenzohet një buxhet marramendës për këtë event, buxhet i cili sigurohet me taksat e popullit shqiptar.
Si i tillë do të duhet të organizohet në nivelin më transparent të mundshëm dhe sigurisht profesional. Çdo vit organizuesit e këtij aktiviteti janë përballur me akuza të ndryshme për shpërdorimin e fondeve. Këtë vit duket se qoka e kryeministrit është për dyshen Grabocka dhe Vejsiu por që pa nisur akoma mirë puna janë përballur me kritikat e pjesëmarrësve.
Fillimisht dolën zerat se fituesit janë paracaktuar dhe se këngëtarëve u është kërkuar të bien dakort në mënyrë diskrete për këtë gjë.
Më pas, ishte çifti i artistëve Toçe, Ziu që dolën hapur kundër abuzumit që ata pretenduan se po ndodhte duke adresuar kritikat tek regjizorja Grabocka.
Edhe gazetari e regjizori Xhelil Aliu prej 40 vitesh i angazhuar në RTSH është shprehur në një intervistë se abuzimi me fondet nga televizioni publik është i dukshëm, pasi nuk ofron programe në shërbim të qytetarëve. “KLSH kishte konstatuar ca absurditete me sasinë e karburantit të harxhuar e me kilometrat e bëra nga makinat e RTSH! Si ndodh një gjë e tillë, përderisa gazetarët e RTSH nuk dalin me shërbime në rrethe!? Ju e dini që taksën e televizorit e paguajnë edhe banorët e Zonës së Bregdetit të Vlorës dhe Sarandës, të cilët shohin vetëm stacione të grekut dhe italianit, pasi nuk munden ta shohin dot kanalin e tyre”,- thotë Aliu.
Qytetarët shqiptarë paguajnë një tarifë mujore për Radio Televizionin Shqiptar, por jo pak probleme e kanë ndjekur këtë institucion për mënyrën se si menaxhon taksat e shqiptarëve.
Ndërkohë që në prag të festivalit kombëtar të këngës, kompozitorja Diana Ziu dhe aktori Vangjel Toçe kanë hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj regjizores Vera Grabocka dhe muzikantit Zhani Çiko.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ata janë shprehur se Vera Grabocka vendos për gjithçka, duke përcaktuar edhe emrin e fituesit, e cila sipas çiftit të famshëm do të jetë Elvana Gjata.
Më tej ata shtojnë se Zhani Çiko nuk është njeriu i duhur për të qenë në grupin e përzgjedhjes së këngëve, pasi nuk ka aftësitë e duhura për të kritikuar këngët e festivalit.
Kompozitorja Diana Ziu dhe aktori Vangjel Toçe iu janë drejtuar me një letër publike Vera Grabockës duke i renditur të gjitha problematikat dhe aferat korruptive të organizimit të festivalit./apel.media