Aeroporti ‘Heathrow’ i Londrës përballet me “ndërprerje të madhe” pasi punonjësit hyjnë në grevë

Rreth 350 punonjës në aeroportin ‘Heathrow’ të Londrës herët në mëngjes kanë filluar një grevë 3-ditore për shkak të një mosmarrëveshjeje për pagat.

Sindikata ‘Unite Union’ njoftoi se qendra më e ngarkuar e udhëtimit ajror në Londër do të përballet me “ndërprerje të madhe” pasi operatorët tokësorë të punësuar nga kompania e aviacionit ‘Menzies’ po fillojnë veprimet industriale.

“Mosmarrëveshja do të çojë në ndërprerje, vonesa dhe anulime për fluturimet që largohen nga Terminalet 2, 3 dhe 4 të aeroportit. Aksioni i grevës do të prekë veçanërisht kompanitë Air Canada, American Airlines, Lufthansa, Swiss Air, Air Portugal, Austrian Airlines, Qantas, Egypt Air, Aer Lingus dhe Finnair”, tha sindikata.

Sekretari i përgjithshëm i sindikatës ‘Unite Union’, Sharon Graham, akuzoi kompaninë ‘Menzies’ se nuk u paguan punëtorëve një “rritje të mirë pagash” pavarësisht se është një “kompani e begatë”.

“Ajo që pengon të bëhet një ofertë e drejtë e pagesës është lakmia dhe jo nevoja”, tha Graham.

Mbretëria e Bashkuar është përballur me greva nga punëtorët në shërbimet postare, hekurudhore dhe të tjera, në mes të një krize të kostos së jetesës në muajt e fundit.