A po kërkon PD kryesimin e reformës zgjedhore brenda Parlamenmtit me të “infiltruarin”, Korab Lita

 

Në opozitën e re parlamentare të listave që vijnë nga Partia Demokratike, duket se kanë nisur përçarjet, vetëm 8 muaj pas marrjes së mandateve.  Përmes një shkrese zyrtare drejtuar Kuvendit që mban datën 11 tetor, 7 deputetë të opozitës së re kanë nënshkruar për ndryshimet në strukturën e grupit parlamentar, duke kërkuar shkarkimin e kryetares së grupit Rudina Hajdari.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Korab Lita, ish- nënkryetari i bashkisë së Kamzës, ka njoftuar emërimin e tij në kryesimin e grupit. Deputetja Rudina Hajdari deklaroi më vonë se nuk do të ketë ndryshime në strukturën e grupit Demokrat, duke e përgënjeshtruar Litën.

Ndërkohë që deputeti Halit Valteri me 14 tetor ka nisur një shkresë tjetër në Kuvend, ku kërkon anullimin e shkresës së parë.

Ai shton gjithashtu se nëse Lita merr kryesimin e grupit paralmentar Demokrat, atëherë sëbashku me disa kolegë të tjerë do të largohen.

Një veprim i tillë do të sillte mosekzistencën apo shpërbërjen e këtij grupi parlamentar.

Në seancën parlamentare të ditës së hënë, deputeti Korab Lita i ka bërë një kërkesë të dytë kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për tu bërë kryetar grupi i Partisë Demokratike, si dhe kërkoi përsëri shkarkimin e Rudina Hajdarit.

“Është hera e dytë që dal për procedurë këtu, për grupin parlamentar demokrat. Shikoj që në listën e diskutimeve është edhe një deputete që nuk është pjestare e grupit”,- tha Lita.

Ndërkohë Ruçi sqaroi se debatet brenda grupit demokratë nuk janë kompetencë e tij, por e vetë grupit.

Ruçi: “Ju lutem edhe një herë, iu kam sqaruar seancën e kaluar. Nuk është kompetencë as e kreut të Kuvendit, dhe as e seancës të merret me lëvzjet e deputetëve në grup. Duhet t’i zgjidhni ju brenda për brenda. Nëse është një emër i renditur, është e drejtë e deputetit të kërkojë fjalën.” tha Ruçi, ndërsa vijoi më tej me seancën plenare”.

Kujtojmë që në Parlament opozita është e ndarë në disa grupe, si ai i listave që vijnë nga Partia Demokratike dhe deputet që janë të afiluar pranë Partive të tjera Opozitare siç është Bindja Demokartike./apel.media