A mund ta transmetojnë virusin personat e vaksinuar?

Vaksinat që janë në dispozicion mbrojnë në mënyrë efektive nga format më të rënda të sëmundjes COVID-19, por ende ekziston një mundësi e vogël që njerëzit e vaksinuar ta transmetojnë koronavirusin. Rreziku që një person i vaksinuar plotësisht ta transmetojë koronavirusin te një person tjetër më i vogël sesa një person që ka rezultuar negativ në testin për COVID-19, thuhet në një studim të kryer nga Instituti gjerman, Robert Koch.

Studimi i kryer në mesin e punëtorëve shëndetësorë, zjarrfikësve, policisë, mësimdhënësve dhe punëtorëve të tjerë esencialë në Shtetet e Bashkuara, tregoi se vaksinat kundër COVID-19 ishin rreth 90 për qind efektive në ndalimit të infeksionit.

Sipas ueb-faqes së Harvard Medical School, një person konsiderohet plotësisht i vaksinuar, dy javë pasi ka marrë dozën e dytë të vaksinës së kompanisë Moderna apo të Pfizer/BionTech, vaksina këto që po përdoren më së shumti në fushatën e vaksinimit masiv në SHBA. Po ashtu, një person konsiderohet plotësisht i vaksinuar dy javë pasi ka marrë vaksinën e Johnson & Johnson, e cila jepet vetëm me një dozë, ashtu siç rekomandon edhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC).

CDC-ja thekson se disa masa preventive duhet të aplikohen pavarësisht vaksinimit, por personat që kanë marr dozat e plota të vaksinës, do të jenë në gjendje që të marrin pjesë në disa ngjarje që kanë shkallë të ulët të rrezikut të infeksionit apo të transmetimit të sëmundjes COVID-19.

Vazhdimi i respektimit të masave kundër COVID-19

Edhe nëse personat e vaksinuar nuk sëmuren, ata mund të infektohen me koronavirus dhe të mos shfaqin simptoma. Ekspertët besojnë se vaksinat ulin shanset që të vaksinuarit të përhapin më tej infeksionin.

“Një person i vaksinuar e kontrollon më mirë virusin, prandaj shanset e transmetimit ulen jashtëzakonisht shumë”, thotë Dr. Robert Gallo, virolog në Universitetin e Marilandit.

Të dhënat e studimeve të deritashme sugjerojnë se nëse dikush infektohet me COVID-19 pavarësisht se është vaksinuar, në hundën e tij mbeten më pak gjurmë e virusit sesa te njerëzit e pavaksinuar. Sipas këtyre studimeve, sasia e vogël e virusit e bën të vështirë përhapjen e tij.

Me qëllim që ta adresojë këtë çështje, SHBA-ja ka nisur një studim me studentë, të cilët janë të gatshëm t’i nënshtrohen çdo ditë testimit duke iu marr strisho nga hundët.

Për shkak të pasigurive të përgjithshme dhe shfaqjes së varianteve të reja, që janë më ngjitëse, ekspertët thonë se njerëzit e vaksinuar plotësisht duhet të vazhdojnë të veshin maska dhe të mbajnë distancë fizike kur janë në publik dhe kur janë në kontakt me njerëz të pavaksinuar, të cilët mund të përjetojnë simptoma të rënda të sëmundjes nëse infektohen me koronavirus.

“Ne duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë”, thotë Gallo. “Vaksina është e domosdoshme. Por, nuk është ilaçi që përfundimisht do t’i japë fund menjëherë pandemisë”, shkruan ABC News.

Studime shpresëdhënëse

Pas publikimit të studimit nga Instituti Robert Koch, Ministria gjermane e Shëndetësisë më 4 mars njoftoi për masa më të lehtësuara për personat e imunizuar plotësisht.

“Kushdo që i është i imunizuar plotësisht, ai person, në të ardhmen, duhet të trajtohet si person që është negativ për koronavirus”, tha ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn për gazetën Bild.

Sipas Institutit Robert Koch, njerëzit që kanë marr dozën e dytë të vaksinës, duhet të përjashtohen nga testimet e detyrueshme dhe karantina.

Lajme të mira po ashtu vijnë nga një studim tjetër që konfirmon se personat e vaksinuar po ashtu ulin në mënyrë të konsiderueshme përhapjen e virusit.

“Nëse nuk mund të infektohesh, nuk mund ta transmetosh virusin te të tjerët, që do të thotë se vaksinat në mënyrë të konsiderueshme e ulin edhe transmetimin, por edhe sëmundjen”, tha Marm Kilpatrick, hulumtues i sëmundjeve ngjitëse në Universitetin Santa Crus të Kalifornisë, raporton Science News.

Kilpatrick ishte pjesë e një ekipi që gjeti se pas marrjes së dozës së parë të Modernas dhe Pfizerit, rreziku nga infektimi me koronavirus u ulë. Raporti i këtij ekipi u publikua më 29 mars, 2021.

“Në studimin tonë, ne qartësisht kemi thënë se të paktën pas 14 ditësh nga marrja e dozës së parë, arrihet mbrojtje ndaj infeksionit deri në 80 për qind”, tha Jeff Burgess, ndihmësdekan në hulumtimin e Shkollës për Shëndetin Publik dhe Enid Zuckerman nga Universiteti i Arizonës.

Ky studim është pjesë e një morie të dhënash që sugjerojnë se vaksinat jo vetëm që ulin rrezikun nga format e rënda të sëmundjes COVID-19, por parandalojnë edhe infektimin me koronavirus.

Rreth 4.000 punëtorë shëndetësorë dhe punëtorë të tjerë esencialë nga gjashtë shtete të SHBA-së morën pjesë në studimin e udhëhequr nga CDC. Nga 14 dhjetori 2020 deri më 13 mars 2021, këta persona në baza ditore iu nënshtruar testimeve me strisho nga hunda për koronavirus. Pas vaksinimit, studimi gjeti se ra shkalla e infektimeve simptomatike dhe asimptomatike. Një pjesë e vogël e personave të vaksinuar, që u përfshin në studim, u infektuan me koronavirus.

Ndërkaq, të dhënat nga Izraeli sugjerojnë se vaksina e Pfizerit mund të bllokojë transmetimin e virusit. Personat e pavaksinuar prodhuan 2.58 deri në 4.5 herë më shumë viruse sesa personat e vaksinuar, thuhet në një raport të publikuar më 29 mars në gazetën Nature Medicine.

Të dhëna të tilla tregojnë se njerëzit e vaksinuar kanë një “ngarkesë më të ulët virale” dhe kanë më pak të ngjarë që të transmetojnë virusin te të tjerët nëse infektohen, por efekti i vaksinës nuk është aq i fortë sa të besohet se vaksinimi vërtetë kufizon transmetimin.

Kilpatrick thotë se zvogëlimi i ngarkesës virale përbën 11 për qind ulje të infeksionit.

“Kjo është gjë e mirë, por duhet që të kemi një infektim përgjysmë më pak ose tre të kartën më të ulët”, thotë Kilpatrick.

Zvogëlimi i simptomave serioze do të ndihmojë në lehtësimin e sistemit spitalor në rast se ka një valë të katërt të pandemisë, thotë Francesca Torriani, infektologe dhe epidemiologe në Universitetin e Kalifornisë të San Diegos.

Por, që vërtetë të ndalohet transmetimi i virusit, është e rëndësishme që personat midis 18 dhe 30 vjeç të vaksinohen.

“Këta janë ata persona që po e transmetojnë virusin”, thotë Torriani. Inkurajimi i personave të rinj, që kanë probabilitet të ulët që të sëmuren dhe të kenë simptoma të rënda, që të vaksinohen, është një gjë e komplikuar, shton Torriani.

“Ata mund të mos kenë shumë përfitime, por familjet e tyre kanë (përfitime), prandaj shpresoj se kjo gjë do t’i inkurajojë të rinjtë që të vaksinohen”./REL