Shënim redaksional/ A i ka bërë Basha “llogaritë” me hanxhinë?

Cili është “hanxhiu” i Lulzim Bashës, populli apo Rama?
Një proçes zgjedhor i parakohshëm, më shumë se Opozitës joparlamentare, në të tilla kushte që është vendi, do t’i shërbente Qeverisë së Ramës, për t’u legjitimuar edhe në një mandat të 3, pavarësisht të pamerituar. 
Zërat branda PS se nuk do të ketë zgjedhje të parakohsme, kanë filluar të ndryshojnë qëndrim. Së fundi Ilir Beqja deklaroi se më shumë se kujdo tjetër, PS-së, i intereson më së shumti të hyjë në një proces zgjedhor, duke lënë të kuptojë se nëse zgjedhjet bëhen “nesër” fiton PS.
Në fakt, në këtë gjendje që është vendi, ku 2000 shqiptarë rregjistrohen si azilkërkues çdo muaj, në një nga vendet e BE, nuk ka pikë dyshimi se fiton Edi Rama, me ato 300 mijë vota socialistësh në administratë.
Nisur nga ky avantazh numrash në vota, edhe pse me dështime të pajustifikuara në kurriz, socialistët janë të qetë dhe optimist se zgjedhjet i avantazhojnë.
Po kaq optimist është shfaqur edhe kreu i PD-së Basha, i cili ka ndërmarrë fushatën në bazën militante. E ndërsa Rama mbush sallat e pallateve të sportit me burokratë institucionesh, Basha mbush lokalet e lagjeve dhe zyrat e partive në rrethe me takime anemike vetëm me anëtarësi.
Sot pas takimit në presidencë në tryezën me kryetarët e partive opozitare jashtëparlamentit, Lulzim Basha ka dhënë një deklaratë ku tha se propozimet e opozitës për reformën zgjedhore, do të behën gati deri në fillim të muajit dhjetor, ndërkohë që shtoi se më pas nuk do të ketë më asnjë alibi, për pengimin e zgjedhjeve të parakohëshme.
“ Shqipëria nuk ka asnjë gjë më pak se vendet e tjera, për të pasur zgjedhje të lira. Do të marrim të gjitha hapat e nevojshme si opozitë, për të bërë gjërat e nevojshme, për të zgjidhur këtë krizë ekonomike në vend”,- tha Basha.
Duket që Luli nuk i ka bërë akoma llogatitë me matematikën e numrave, për të cilën ai pak talent ka. Në 6 vjet të opozitës në disa palë zgjedhjesh, Basha ka rezultuar disfatist, duke e përgjysmuar rezultatin që i la Sali Berisha në ditën e tij më të keqe Qershorin e 2013, kur ai vinte nga një qeverisje shumë herë më e mirë se Rama sot, por në konsum 8 vjeçar.
Basha ose nuk është ulur të bëjë llogaritë zgjedhore për “fitoren”, ose ka bërë llogaritë e tjera me Ramën. Kjo mbetet për tu parë në vijim pasi në të kundërt Basha nuk do të ketë më argument për të qendruar në krye të demokratëve të cilët i ka zvarritur pashpresë deri më tani duke ua përgjysmuar votat e rezultateve./apel.media