A duhet të vaksinohen shtatzënat kundër koronës?/ Nga Enver Robelli

Enver Robelli shkruan Po, gjithsesi, thonë shkencëtarët gjermanë – lexoni këshillat e tyre… Komisioni i Përhershëm për Vaksinim i Gjermanisë (Stiko) është deklaruar të premten për vaksinimin e grave s...
A duhet të vaksinohen shtatzënat kundër koronës?/ Nga Enver Robelli
Foto: A duhet të vaksinohen shtatzënat kundër koronës?/ Nga Enver Robelli

Enver Robelli shkruan

Po, gjithsesi, thonë shkencëtarët gjermanë – lexoni këshillat e tyre…

Komisioni i Përhershëm për Vaksinim i Gjermanisë (Stiko) është deklaruar të premten për vaksinimin e grave shtatzëna kundër koronës. Gratë shtatzëna, lehonat dhe nënat e reja, të cilat deri më tani nuk janë vaksinuar apo janë vaksinuar pjesërisht, këshillohen të vaksinohen me dy doza të një vaksine «mRNA». Po ashtu Komisioni i Përhershëm për Vaksinim i Gjermanisë u ka bërë thirrje të gjitha grave të afta për të lindur, që të vaksinohen.

Deklaratat e komisionit gjerman për vaksinim kanë ndikim të madh në Gjermani, por edhe më gjerë, sepse autoritetet orientohen në këshillat e tij për vaksinim.

Marianne Röbl-Mathieu, gjinekologe nga Müncheni dhe anëtare e Komisionit të Përhershëm për Vaksinim tha se javëve të fundit është konstatuar se shtatzënia mund të jetë faktor rreziku në rast infektimi me virusin korona – nëse gratë shtatzëna nuk janë të vaksinuara. Sipas mjekes së njohur gjermane vaksinimi ka rezultuar i sigurt edhe për shtatzëna.

Komisioni i Përhershëm për Vaksinim i Gjermanisë i përmbahet këshillave të Shoqatës Gjermane të Gjinekologjisë. Edhe në SHBA dhe në Britaninë e Madhe shtatzënat këshillohen të vaksinohen.

Para pak ditësh revista shkencore «Nature Medicine» botoi të dhëna nga Izraeli, të cilat tregonin se vaksinimi ofron mbrojtje edhe nëse vaksina është marrë gjatë shtatzënisë. Kësisoj vaksina e firmës Biontech/Pfizer nënave të ardhshme u ka ofruar një mbrojtje prej 96 për qind nga infektimet me Sars-CoV-2 dhe 89 për qind nga rrjedha e rëndë e sëmundjes.