6.2 miliardë lekë borxhi/ Shoqata e Bashkive alert qeverisë

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë është shqetësuar për reduktimin e rritjes së fondeve për pushtetin lokal, e cila ëshë zbritur në 2.7% sipas projekt-buxhetit për vitin 2020.

Përmes një deklarate zyrtare, kreu i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, Agron Haxhimali thotë se pushteti vendosr nuk mund të përballojë dot borxhin prej 6.2 miliardë lekësh.

Shoqata i ka kërkuar ndihmë qeverisë që ta ndihmojë në shlyerjen e borxhit.

Sipas tyre, projekt-buxheti i ri garanton vetëm shlyerjen e rrogave për punonjësit e bashkisë në të gjithë vendin, por nuk ka asnjë fond shtesë për sa i përket investimeve strategjike, të cilat duhet të ndërmerren nga pushteti lokal.

Deklaratë e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për mediat:

Përshëndetje,

Me anë të këtij emaili dëshirojmë të ndajmë me ju qëndrimin e Shoqatës së Bashkive lidhur me financimin e pushtetit vendor sipas projekt-buxhetit të vitit 2020.

Shqetësimi ynë kryesor mbetet tek rritja me vetëm 2.7% e transfertës së pakushtëzuar.  Kjo rritje ka ardhur duke u përgjysmuar nga 9% në krahasim me vitin 2017, 4% krahasuar me 2018 dhe tani me 2.7% krahasuar me 2019.  Akoma më tej, pjesa sektoriale e transfertës (që mbulon funksionet e reja) nuk shënon rritje për të dytin vit rradhazi.  Pra, çfarë ka ndodhur deri tani është se bashkitë kanë marrë fonde për paga punonjësish, po nuk kanë fonde as për shpenzime operative as për investime për funksionet përkatëse.

Shoqata e Bashkive ka shprehur vazhdimisht qëndrimin se transferta e pakushtëzuar duhet të rritet në të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 1% që është aktualisht.  Duke pasur parasysh treguesit e buxhetit 2019 e veçanërisht të ardhurat e realizuara, ne pranojmë se kjo kërkesë mund të jetë e vështirë për tu arritur.  E megjithatë, sugjerimi ynë, do të ishte hapa konkretë për rritjen e transfertës në vlera të konsiderueshme duke nisur që nga 2020.

Ndarja e tatimit mbi të ardhurat personale mes qeverisë dhe bashkive nuk është kryer as për 2018 e as për 2019.  Sipas ligjit të financave vendore, 2% e këtyre të ardhurave duhet transferohen te njësitë e vetëqeverisjes vendore.  Pyetja jonë mbetet se kur do të nisë transferimi i këtij fondi drejt pushtetit vendor dhe cilat janë pengesat për tu trajtuar.

Çështje tjetër sensitive është borxhi vendor, i cili arrin në vlerën e 6.2 miliardë lekëve, një shifër shumë herë më e ulët se borxhi kombëtar por mjaft penguese për bashkitë.  Ne insitojmë që ky borxh i akumuluar të merret përsipër nga qeveria qendrore duke i lehtësuar bashkitë, veçanërisht në kushte të transfertës së pakushtëzuar në nivele të ulta.

Për qëndrimin e plotë, ju lutemi referojuni dokumentit bashkangjitur.

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin,

Me respekt,

Agron Haxhimali

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive