“43% e shqiptarëve të rrezikuar nga varfëria”/ Reagon Meta: Laku shtrëngohet çdo ditë dhe më shumë nga rritja abuzive dhe e pandalshme e çmimeve

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se 43% e shqiptarëve janë të rrezikuar nga varfëria. Teksa ka shpërndarë statistikat e Eurostat, Meta thotë se varfëria në vendin tonë është e lartë.

Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se 67% e shqiptarëve jetojnë sot me të ardhura nën 5.5 dollarë në ditë, ndërsa sipas tij gjendja ekonomike e tyre do të përkeqësohet ende për shkak të rritjes së çmimeve.

E vetmja mënyrë për të dalë nga varfëria dhe kriza ekonomike, sipas kreut të Partisë së Lirisë është largimi i Edi Ramës nga pushteti.

Postimi i plotë

Shqipëria, sipas Agjencisë Europiane të Statistikave, kryeson në kontinent me 43% të popullsisë së saj të rrezikuar seriozisht nga varfëria dhe përjashtimi social. Situata është edhe më e rëndë nëse i referohemi faktit se aktualisht 67% e shqiptarëve jetojnë sot me të ardhura nën dhe deri në 5.5 dollarë në ditë.

Laku i varfërisë shtrëngohet çdo ditë dhe më shumë nga rritja abuzive dhe e pandalshme e çmimeve, si dhe nga mungesa e paketave sociale efektive të ndihmës për çdo kategori në nevojë. Rilindja po i zhyt thellë dhe më thellë shqiptarët në pasiguri dhe varfëri, sepse qëllimi i saj është vetëm vjedhja papushim e taksave të tyre për veten, klientët dhe oligarkët e saj. Ndërkohë që sipas Eurostat, 43% e popullsisë rrezikohet nga varfëria, Edi Rama paguan çdo ditë 80.000 euro pronarët në arrati të inceneratorëve fiktivë, “kryeveprën” e aferës së tij korruptive.

Shantazhet absurde të tij për fëmijët dhe prindërit, që të mos bëjnë shënime në librat e shkollës se do të kenë sanksione apo thirrjet për kursim të energjisë duke “shpikur” shembuj nga Zvicra se si qytetaret futen në burg për ngrohjen me kondicioner tregojnë degradimin e pashpresë të regjimit më të korruptuar në kontinent që shton shpenzimet e luksit dhe aferat korruptive në këto kohë krizash.

Shporrja e kësaj bande të korruptuar dhe të inkriminuar është e vetmja rrugë për t’u ndarë pergjithmonë me korrupsionin galopant, varfërinë në rritje dhe përjashtimin social të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.