31 vite nga eksodi i shqiptarëve drejt Italisë, Meta: Edhe sot vijon dhimbshëm

Sot 31 vite më parë, më 8 gusht të vitit 1991, është dita e eksodit masiv të shqiptarëve për në Itali.

Kjo pasi anija “Vlora” e cila u nis nga Durrësi me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, u shfaq në portin e Barit.

Kujtojmë se në atë kohë në bordin e anijes ishin shumë burra, gra e fëmijë, që prisnin për fatin e tyre midis dy brigjeve të Detit Adriatik.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një postim të bërë në rrjetet sociale ka kujtuar sot eksodin e shqiptarëve në 1991 drejt Italisë në anijen “Vlora”.

Meta shkruan se edhe pas 31 vitesh, 40 përqind e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë La Manshin, duke rrezikuar jetën e tyre, janë shqiptarë.

“Europa do ndërtohet në Shqipëri kur sovrani të marrë në dorë fatet e veta! REFERENDUMI, kryefjala e angazhimit madhor të Partisë së Lirisë”, thotë Meta ndër të tjera.

Postimi i i plotë:

Pas 31 viteve nga këto pamje tronditëse dhe emocionuese të 8 gushtit 1991, kur rreth 20 mijë shqiptarë në bordin e anijes “Vlora” nisën udhëtimin drejt lirisë, për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë, eksodi i shqiptarëve vijon dhimbshëm.

Edhe sot, 40 përqind e emigrantëve të paligjshëm që kalojnë La Manshin, duke rrezikuar jetën e tyre, janë shqiptarë.

Që drama e madhe e shpopullimit të marrë fund dhe shqiptarët të ankorojnë shpresën në Atdheun e tyre, duhet ndëshkuar kapja e shtetit, modeli korruptiv dhe kriminal që lë në varfëri shumicën e qytetarëve, për të pasuruar një pakicë.

Europa do ndërtohet në Shqipëri kur sovrani të marrë në dorë fatet e veta!

REFERENDUMI, kryefjala e angazhimit madhor të Partisë së Lirisë.