Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në vijim të procesit të vlerësimit të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, ka zhvilluar ditën e merkurë intervistat me të tre kandidatët në garë sipas rendit alfabetik, Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela. Kjo është faza përmbyllëse e procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë me mandat 7 vjeçar.
Në zbatim të nenit 19, pika 1 të rregullores “Mbi kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm”, intervistat me kandidatët janë regjistruar me audio dhe video.
Kandidatët kanë paraqitur para Këshillit një prezantim për formimin, eksperiencën profesionale dhe veprimtarinë e tyre ndër vite si dhe platformën e depozituar për vlerësim në Këshill.
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar i kanë adresuar pyetje secilit kandidat, duke nxjerrë në pah aftësitë e tyre njerëzore, profesionale dhe administrative të kërkuara nga ky pozicion./apel.media