21 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut po bëhen 21 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në vend.

Në kushtetutën e vendit pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia në atë kohë, ishin sjellë disa kufizime për të drejtat e grupeve të tjera etnike në vend, veçanërisht të shqiptarëve.

Shqiptarët të cilët kërkonin të drejtën e arsimit të lartë në gjuhën e tyre amtare, në vitin 1994 e themeluan universitetin e tyre. Ky hap nuk u mbështet nga qeveria e asokohshme dhe universiteti i themeluar ishte rrënuar nga policia. Në përplasjen e ndodhur kishte humbur jetën një person, ndërsa ishin plagosur shumë të tjerë.

Shqiptarët të cilët gjithashtu kërkonin përdorimin e flamurit kombëtar në vend, në vitin 1997 i vendosën flamujt në komunat e Gostivarit dhe Tetovës, veprim ky i cili u cilësua si i paligjshëm dhe ishin hequr flamujt. Pas intervenimit të policisë kishin humbur jetën disa persona dhe ishin arrestuar shumë të tjerë.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit

Negociatat për arritjen e marrëveshjes në Ohër, përfunduan me përafimin e dokumentit ndërsa i njëjti u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001.

Marrëveshja Kornizë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua nga partitë më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Negociatat që zgjatën rreth dy muaj në qytetin e Ohrit, u mbajtën nën patronazhin e presidentit të atëhershëm të shtetit, Boris Trajkovski, ndërsa Marrëveshja u nënshkrua nga ana e liderëve të atëhershëm të partive politike, Branko Cërvenkovski, lider i Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë (LSDM), Arben Xhaferit, lider i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Lubço Georgievski i VMRO-DPMNE-së dhe Imer Imerit nga Partia për Prosperitet Demokratik (PPD).

Nënshkrues të Marrëveshjes, në cilësinë e garantuesve, ishin edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Francois Leotard dhe përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së, James Pardew, të cilët morën pjesë në negociata.

Marrëveshja i dha fund konfliktit ndërsa hodhi bazat për rritjen e të drejtave të shqiptarëve në vend.

Në marrëveshje, përveç zyrtarizimit të gjuhës shqipe, janë përfshirë edhe zhvillimi i pushtetit vendor, mos diskriminimi, përfaqësimi i drejtë, zbatimi i procedurave të veçanta të Kuvendit për çështje si gjuha, kultura, arsimi dhe simbolet.

Gjithashtu u vendos që një gjuhë e cila flitet nga më shumë se 20 për qind e popullsisë në cilindo qytet të vendit, përveç maqedonishtes, të jetë gjuhë zyrtare.

Me “Ligjin për përdorimin e gjuhëve” të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 11 janar 2018, i cili parasheh që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes, u bë gjuha e dytë zyrtare në vend më 15 janar 2019.

Në kontekstin e zbatimit të marrëveshjes, vlen të përmendet se në vitin 2004 u formua edhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, që funksionon në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Sekretariati më pas u shndërrua në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Rruga që çoi në Marrëveshjen e Ohrit

Konflikti i armatosur filloi pasi më 22 janar një grup i armatosur sulmoi stacionin policor në fshatin Tearcë të Tetovës, ku në sulm humbi jetën një polic ndërsa tre të tjerë ishin plagosur. Përgjegjësinë mbi sulmin e kishte marrë Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Përleshjet kanë vazhduar edhe në qytete të tjera të vendit me shkallë të ndryshme intensiteti gjatë muajve të pranverës.

Një marrëveshje e përgjithshme armëpushimi u arrit më 5 korrik, e ndërmjetësuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe NATO ndërkohë të dyja palët e shkelën marrëveshjen shumë herë.

Në ngjarjet mes 22 janar-12 nëntor 2001 humbën jetën qindra persona nga të dyja palët ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u zhvendosën.

Përleshjet kanë ndodhur në pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit si dhe në afërsi të kryeqytetit Shkup. Incidente të dhunshme ndodhën në qytete të ndryshme të vendit.