Bernd Borchardt/ Qeveria të garantojë transparencë për ligjin e medias

Projektligji për mediat duhet të garantojë debat transparent për ndryshimet e propozuara. Këtë ka kërkuar ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt nga qeveria shqiptare në “Forumin për zhvillimin e medias”, organizuar nga zyra e BE-së në Tiranë.

Bernd Borchardt: “Duam të shprehim mbështetjen tonë për një aktivitet të pavarur të medias online dhe gjithashtu i kërkojmë ligjvënësve shqiptarë sapo të jetë përfunduar projektligji të garantojnë një debat të hapur dhe transparent për të gjitha ndryshimet e propozuara me të gjitha palët e interesuara e të përfshira. Ju inkurajojmë ju gazetarëve dhe mediave që të bëni që zëri juaj të dëgjohet.”

Në “Forumin për zhvillimin e medias”, Borchardt shtoi se është një rrugë e gjatë përpara për përmirësimin e cilësisë së raportimit si edhe mbështetjes së transmetuesit publik TVSH. Ai nxori në pah edhe problemin e përqëndrimit të pronësisë së mediave duke thënë se po e ndalon diversitetin dhe po pengon profesionalizmin. Ai tha se përqendrimi i pronësisë së medieve duhet kufizuar me ligj. Bernd Borchardt: “Ka një rrugë të gjatë për të bërë për të përmirësuar cilësinë e raportimit, për të mbështetur transmetuesin publik për të qenë më i pavarur dhe më profesional gjatë transmetimit nga analog në digital. Kemi vënë re përmirësime në aktivitetin e TVSH-së. Ne besojmë se një demokraci e vërtetë ka nevojë për një shërbim të fortë të medias publike. Media online është zhvilluar fuqishëm njësoj si në të gjithë vendet evropiane. Numri i mediave është rritur në krahasim me të kaluarën dhe kjo së pari është shenjë e zhvillimit dhe rritjes në mënyrë të natyrshme. Përqendrimi i pronësisë së mediave po e ndalon diversitetin dhe po pengon profesionalizmin. Përqendrimi i pronësisë së mediave duhet kufizuar me ligj.

Disa faqe interneti përdorin in formacion të njëanshëm për të sulmuar figura publike në mënyrë joetike pa pasur asnjë lloj shqetësimi për standardet e gazetarisë. Për ta përkeqësuar këtë çështje pronësia e disa prej këtyre faqeve të internetit është e paqartë duke e bërë aktivitetin e tyre më pak transparent e profesional.”/apel.media