Policia gjobit Besin, Monikën, Ilirin etj, por edhe lokalin ku festoi pa maska ditëlindjen Bes Kallaku

Aktori i mirënjohur Bes Kallaku festoi 35-vjetorin e lindjes dy ditë më parë në një lokal në Laknas të Kamzës.

Policia e shtetit ka gjobitur Bes Kallakun, kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, Presidentin Ilir Meta si dhe të ftuarit e tjerë që morën pjesë në ditëlindjen e aktorit të humorit, duke mos harruar këtu edhe pronarin e lokalit.

Gjithashtu ndaj 6 efektivëve është marrë vendimi për pezullim nga puna, për mos kryerjen e detyrës duke ushtruar kontrolle.

Blutë informojnë se të ftuarit në ditëlindjen e Besit janë identifikuar përmes kamerave të sigurisë dhe do të ndëshkohen me gjobë. Kujtojmë se në bazë të Aktit Normativ, festat dhe grumbullimet me mbi 10 persona janë të ndaluara.

Njoftimi i plotë nga Policia e Shtetit:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Në lidhje me aktivitetin e zhvilluar më datë 20.11.2020 në një lokal në fshatin Laknas, Bashkia Kamëz, ku shtetasi B.K, kishte organizuar një ceremoni ditëlindje dhe kishte ftuar rreth 30 persona, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë menjëherë mori masa në zbatim të Aktit Normativ, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Nga ana e Policisë së Tiranës, u mor masa administrative 1.000.000 lekë për administratorin e lokalit shtetasin F.U., në bazë të aktit normativ nr 3 datë 15.03.2020.

Gjithashtu në bazë të pamjeve filmike janë identifikuar të gjithë personat që ishin pjesmarrës në aktivitetin e zhvilluar dhe do ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese anticovid-19.

Njëkohësisht Drejtori i DVP Tiranë ka pezulluar nga detyra 6 punonjës Policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ndaj tyre Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë .